Eneda, Marsela, Besa dhe Lindi surprizojnë në “Kënga Magjike” me 4 super-balada!


U prit me padurim kjo javë në “Kënga Magjike” pasi u lançua paraprakisht nga Ardit Gjebrea se do të ishte një garë vërtetë e bukur mes “big”-ëve (siç i quan ai artistët e njohur) pasi do të prezantoheshin me materialet e tyre përkatëse Besa Kokëdhima, Eneda Tarifa, Marsela Çibukaj dhe Lindi Islami.

Prezantimet e tyre sapo kanë përfunduar dhe mund t’ju themi vetëm që pritshmëritë e publikut u tejkaluan!

E shumëpritur ishte performanca e sotme e Eneda Tarifës në “Kënga Magjike” që prej momentit kur ajo na tregoi në Instagram se këngën këtë herë ai kishte besuar Flori Mumajesit, kantautori i cili fitoi çmimin e parë vitin e kaluar e që nuk zhgënjen me krijimet e tij asnjëherë. Eneda kishte munguar prej 11 vitesh në “Kënga Magjike” por balada “Ma zgjat dorën“ duket se e bëri pritjen të vlejë. Fabula e këngës vërtitet tek tema e dashurisë, tek një dashuri e pamundur sot, ku kërkohet për herë të fundit të jepet dora “për të mos rënë në greminë”. 

Marsela Çibukaj e ka nisur me këmbë të mbarë sepse për të, kjo ishte hera e parë që konkurronte në Kënga Magjike. Kënga që ajo prezantoi “Thërrime dashurie”, shkruar nga Rozana Radi dhe muzikën nga Adi Hila, vjen si një klithmë dashurie nga një vajzë e cila i dedikon fjalët e fundit një djali që dikur e deshi shumë por ai i humbi vitet më të bukura të jetës së saj me zhgënjime. Si gjithmonë, Marsela vjen super stil, me një baladë larg klasikes ku ndërthuret poezia e bukur e Rozanës me një muzikë që depërton ndjesi feste edhe pse teksti është i dhimshëm.

Rikthimi i Besa Kokëdhimës pas një shkëputjeje në muzikë u bë me këngën “Histori”, që Besa e ka krijuar vetë si muzikën ashtu edhe tekstin duke ardhur për herë të parë tek publiku si kantautore. “Histori” është një baladë e fortë, që i shkon përshtat Besës e cila sa herë është paraqitur me balada ia ka dalë mjaft mirë pasi ndihet në to, si në ‘habitetin e saj’. Balada është trajtuar në termat e ngrohtë të dashurisë ku Besa i tregon atij se historia do ta kthejë dhe një ndjesi e tillë e fortë ka tendencën të ripërsëritet.

Lindi Islami solli këngën më të ëmbël dhe të ndjerë me titull “Ti m’ke rrit” dedikuar nënës, të cilës këngëtari ia bëri surprizë mamasë së tij e cila nuk kishte dijeni që e gjitha ishte për të. Si një ninullë e këndshme “Ti m’ke rrit” e Lindi Islamit me siguri ka bërë të lotojnë të gjitha nënat që do ta ndjejnë këngën deri në qelizë.

Katër balada të ndjera, krejt të ndryshme nga njëra tjetra por tejet të bukura dhe të realizuara, padyshim janë vlerë e shtuar në këtë edicion të “Kënga Magjike”. /News31.al


Eneda, Marsela, Besa dhe Lindi surprizojnë në “Kënga Magjike” me 4 super-balada!

log in

Captcha!

reset password

Back to
log in
Choose A Format
Gif
GIF format