Blogerja e njohur na tregon një këndvështrim të realitetit të gruas shqiptare që nuk lidhet me frazat frymëzuese


Ditën e sotme me siguri keni hasur urime të shumta në rrjet, por një dedikim që tërheq vëmendje këtë 8 mars është ai i Amantia Bekteshit. Blogerja e ushqimeve, që aktualisht jeton në Francë, ka sjellë një realitet me të cilin përballemi çdo ditë e më shumë.

“Kam disa ditë që mendoj se duhet të vij me një mesazh për 8 Marsin, por sa herë u ula të shkruaj mendimet më erdhën të sforcuara”, e ka nisur kështu shkrimin e saj Amantia, duke e fokusuar vëmendjen tek problematikat reale të femrës shqiptare, mes dhunës dhe paragjykimit, thashethemit, pamundësisë financiare, shpesh edhe padijes, që sipas saj nuk zgjidhen me postime motivuese nga të tjerë femra apo fjalë të zgjedhura nga gra të arrira.

Një këndvështrim ndryshe ky i Amantias, që do ta gjeni më poshtë:

Kam disa ditë që mendoj se duhet të vi me një mesazh për 8 Marsin, por sa herë u ula të shkruaj mendimet erdhën të sforcuara. Shkrime të tilla me duken kaq cliché sa nuk kuptoj më se çfarë efekti kanë. “Femrat duhet të ndihmojnë njëra-tjetrën!” “Vajzat duhet t’i mbajnë kurorën njëra-tjetrës!” …Shoqëria kështu, shoqëria ashtu… Bla, bla, edhe më shumë bla! Japim pafund mesazhe në fushata sensibilizuese, e megjithatë gruaja në Shqipëri vijon të ketë vështirësi në çdo aspekt të jetës së saj. Çfarë efekti ka ajo që themi nëse kur një grua merr kurajon të denoncojë dhunuesin, po në të njëjtën ditë merr vdekjen si dhuratë sepse askush nuk e dëgjoi? Çfarë efekti ka ajo që themi kur një grua me 2 fëmijë nuk ka ku të jetojë nëse e divorcon burrin dhunues? Çfarë efekti ka nëse një vajzë vendos të shkollohet, por babai i saj nuk e lejon dhe vendos ta martojë 15 vjeç? Çfarë efekti ka ajo që themi nëse mosdija dhe varfëria janë pjella e çdo pamundësie dhe kanë hedhur rrënjë prej vitesh në shoqërinë tonë e ndryshimet është kaq e vështire të shihen! Shteti. Ku është shteti? Shteti nuk ka ngjyrë, as parti, nuk është as rozë, as blu, as lejla, as i kuq. Shteti jemi të gjithë ne me mentalitetin tonë. Shteti është ligji që nuk i del femrave të dhunuara në krah. Shteti është polici që tallet me gruan që denoncon burrin për dhunë. Shteti është gjyqtari që me qetësi olimpike merr ryshfet nga dhunuesi dhe kur e dhunuara bërtet në sallë e bën veshin shurdh. Shteti është mësuesi pervers që tenton të fusë duart te vajza 15 vjeçare në shkollë të mesme. Shteti është drejtori në administratë që nuk firmos emërimin e një gruaje pa kaluar më parë në zyrën e tij. Shteti është personi i faresfisit që i numëron dashnorët e komshijes përballë. Shteti është paraziti që rri në kafe, por i kërkon llogari gruas pse bleu një bluzë të përdorur me rrogën e saj. Shteti është gruaja që bën thashetheme për një grua tjetër. Shteti është gruaja që shkruan një status frymëzues për gratë, por rrugës ka rrëzuar dhjetra gra të tjera në jetë. Shteti është ligji që nuk mbron, mentaliteti ynë prapanik, mosdija dhe varfëria. Lajmet në sfond: Krimi në familje godet sërish. Një burrë vret gruan e tij… 8Mars2020

190 Likes, 3 Comments – RENAMOUR, fait avec amour🍴 (@renamour_fait_avec_amour) on Instagram: “Kam disa ditë që mendoj se duhet të vi me një mesazh për 8 Marsin, por sa herë u ula të shkruaj…”

Blogerja e njohur na tregon një këndvështrim të realitetit të gruas shqiptare që nuk lidhet me frazat frymëzuese

log in

Captcha!

reset password

Back to
log in