7 librat që nuk duhen humbur këtë vit në Panairin e Librit


Pak ditë na ndajnë nga Panairi i Librit, që ndryshe cilësohet si ngjarja më e rëndësishme kulturore e vitit. Mes shumë emra shkrimtarësh të njohur e veprave të reja, shtëpia botuese ‘Pegi’ sjell shumë libra të rinj, që nuk duhet t’i humbisni nga vëmendja.

“Artisti i botës fluturake” nga Kazuo Ishiguro është romani që na vë përpara dilemave morale të artistëve në një botë që është përherë  në ndryshim e sipër. Protagonisiti Masuxhi Ono, një piktor tashmë i dalë në pension, bën një jetë të qetë nën shoqërinë e së bijave. Por, bisedimet për martesën e vajzës së dytë, sipas zakoneve japoneze, do ta vënë atë përballë qëndrimit e kritikave nga miq e kolegë për stilin e tij estetik në të shkuarën, si dhe portretizimit të realitetit nëpërmjet pikturës. Rrëfimi i historisë personale të artistit, që e bën hero, burracak, por mbi të gjithë qënie njerëzore, është vlerësuar nga kritika, ashtu sikurse dhe ka qenë fitues i ‘Whitebread Book Award’.

 

Nuk mund të mungonte vëmendja e veçantë ndaj lexuesve të vegjël, edhe pse “Aventurat e pazakonta të shegertit të vogël” është një përrallë që u mësonjo vetëm fëmijëve, por edhe të rriturve se dashuria e mirësia ndaj të tjerëve gjithmonë ka fund të lumtur. Një prej klasikëve  të letërsisë kroate për fëmijë, botuar për herë të parë më 1913, me autore Ivana Brlic-Mazuranic, është përshtatur në shqip nga Ben Andoni. Historia e Hlapitit, një shegerti të vogël i cili largohet nga ustai vetullngrysur, do t’i ‘rrëmbejë’ lexuesit e vegjël në një rrugëtim plot aventura, të papritura e sfida, që vetëm një djalosh zemërmirë e që nuk i trembet punës mund t’i përballojë e t’i zgjidhë më së miri.

 

“Cironka” nga Lisa Brennan-Jobs sjell kujtimet e autores, njëkohësisht dhe vajza e Steve Jobs. Lindur nga fundi i viteve ’70, nga lidhja e dashurisë së artistes Christiann Brenan dhe Steve Jobs, Lisa rrëfen këndvështrimet e ndryshme që prindërit kishin për jetën, përjetimet e saj ndaj një babai që atësinë ia dha vetëm pas analizave të ADN, raporti sa i ftohtë, aq dhe bujar mes saj dhe të atit, që siç e pranon dhe vetë autorja, për një kohë të gjatë e shihte si mit. Kjo është historia e një vajze në kërkim të identitetit të saj, si dhe një portretizim  i fuqishëm dhe emocionues i Steve Jobs.

 

Charles Bukowski vjen dhe një herë më pranë lexuesit shqiptar me romanin “Hollywood”. Henri Çinaski rikthehet këtë herë si pjesë e ‘vorbullës’ hollivudiane. I ftuar për të përshtatur një nga librat e tij gjysmëautobigrafikë në skenar filmi, protagonisti ndeshet me shkëlqimin e yjeve eksentrike, personazheve të përkëdhelura që gjenden lehtësisht mes producentësh, aktorësh, regjisorëve e gazetarëve. Romani bazohet në përvojën reale të Bukowski-t si skenarit në filmin ‘Barfly’. Ashtu siç i shkon për shtat, shkrimtari çjerr maskën e përciptë të botës së spektaklit, përhumbjes pas parasë dhe shkëlqimit të rremë.

 

Edmond Tupja vjen me një vëllim të dytë me tregime erotike që mban titullin “Kujtimet e një karrigeje”. Një hulumtim fin i marrëdhënieve intime dhe dashurisë fizike, të cilat shpesh fshehin  përmbajtje filozofike dhe shpirtërore. Rritja dhe zbulimi seksual gjatë adoleshencës, përballja me trupin, zbulimet fetishiste thjesht për hir të joshjes së seksit, dëshirat dhe epshet e kontrolluara e ato të pakontrolluara, ngërçi piskologjik i burrave të tradhëtuar apo pasojat e një adoleshence të dhunuar, të gjitha këto trajtohen me një gjuhë të hapur dhe mbështillen me tisin e erotizmit herë brutal, herë të sofistikuar.

 

“Ora e ligë” vjen si romani i tretë i gazetarit Enkel Demi, i cili në botimet e tij letrare përfaqësohet me emrin Tom Kuka. Sali Kamati, shtyrë nga zakonet e vendit, niset të marrë gjakun e të vëllait të vrarë nga Çelo Mezani. Në një duel të egër burrash, Kamati e shtrin Çelon me një të shtënë, por kënga e do që ta vrasë me goditjen e tretë. I bindur që tashmë është me një këmbë në varr, Sali Kamati niset të ujdisë të gjitha punët e kamjen e vetë që kur t’i vijë ora e vdekjes, ta lërë çdo gje prapa të rregulluar. Por, kur në shtëpinë e tij vjen si mysafire mbesa e së shoqes, Tusha, vatra familjare mbushet me frymë të re, gaz e hare, gjë që ia çel zemrën e i jep jetë të zotit të shtëpisë. Megjithatë, urrejtja, turpi e thashethemnaja do t’ia mpakin aq shumë ngazëllimin sa të mos të dijë t’i japë udhë as zemrës, as mendjes. Një përzierje e atmosferës epike e lirike, Tom Kuka e shtyn rrjedhën e rrëfimit në një epokë të largët, në gjenezë të motit.

 

Autori shqiptar shumë i dashur për fëmijë, Gaqo Bushaka vjen me një përmbledhje vjershash për fëmijë. “Pse iku qenushi” përmban që nga fabulat me kafshë, deri tek vjershat edukative, të gjitha të para nën optikën e zbavitjes. Me një gjuhë të përshtatshme për të vegjëlit, shoqruar me ilustrimet e Elidor Krujës, shfletimi i librit bëhet edhe më i këndshëm për fëmijët.

7 librat që nuk duhen humbur këtë vit në Panairin e Librit

log in

Captcha!

reset password

Back to
log in
Choose A Format
Gif
GIF format